1:1 Pali, shërbëtor i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë,
1:2 siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta,
1:3 lidhur me Birin e tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit,
1:4 i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit: Jezu Krishti Zoti ynë,
1:5 me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij,
1:6 ndër të cilët edhe ju jeni të thirrur nga Jezu Krishti;
1:7 për ju të gjithë që jeni në Romë, të dashur nga Perëndia, të thirrur shenjtorë: hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krishti.
1:8 Para së gjithash, falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj është folur në gjithë botën.
1:9 Sepse Perëndia, të cilit unë i shërbej me frymën time nëpërmjet ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im që unë nuk pushoj kurrë t'ju kujtoj,
1:10 duke kërkuar vazhdimisht në lutjet e mia që të më lejohet më në fund nga vullneti i Perëndisë mundësia për të ardhur tek ju,
1:11 sepse unë dëshiroj fort t'ju shoh për t'ju komunikuar ndonjë dhunëti frymëror, që të fortësoheni.
1:12 Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin.
1:13 Tani, vëllezër, unë nuk dua që të mos e dini se shumë herë kisha vendosur të vija tek ju që të mund të kem ndonjë fryt midis jush siç kam pasur midis johebrenjve të tjerë, por deri tash kam qenë i penguar.
1:14 Unë u jam borxhli Grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të paditurve.
1:15 Kështu, aq sa varet nga unë, jam gati t'ju predikoj ungjillin edhe juve që jeni në Romë.
1:16 Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun.
1:17 Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: ''I drejti do të jetojë me anë të besimit''.
1:18 Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi,
1:19 meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre.
1:20 Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm.
1:21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.
1:22 Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë,
1:23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.
1:24 Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtsë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre,
1:25 që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.
1:26 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës.
1:27 Në të njejtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdheniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre.
1:28 Dhe meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme,
1:29 duke qenë të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, mbrapshtësi, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi,
1:30 mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve,
1:31 të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, të pamëshirshëm.
1:32 Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë.
2:1 Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra.
2:2 Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla.
2:3 Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë?
2:4 Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?
2:5 Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë,
2:6 që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij:
2:7 jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira;
2:8 ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim.
2:9 Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut;
2:10 por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut.
2:11 Sepse te Perëndia nuk ka anësi.
2:12 Në fakt të gjithë ata që kanë mëkatuar pa ligjin, do të humbasin gjithashtu pa ligj; dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligjin do të gjykohen sipas ligjit,
2:13 sepse jo ata që dëgjojnë ligjin janë të drejtë para Perëndisë, por ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen.
2:14 Në fakt kur johebrenjtë, që s'kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s'kanë ligjin, janë ligj për vetveten;
2:15 këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin,
2:16 ditën në të cilën Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit tim.
2:17 Ja, ti quhesh Jude, bazohesh mbi ligjin dhe lëvdohesh në Perëndinë,
2:18 njeh vullnetin e tij dhe dallon gjërat e rëndësishme, duke qenë i mësuar prej ligjit,
2:19 dhe je i bindur se je prijësi i të verbërve, drita e atyre që janë në errësirë,
2:20 udhëzues i të marrëve, mësues i të miturve, sepse ke formën e njohurisë dhe të së vërtetës në ligj.
2:21 Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh?
2:22 Ti që thua se nuk duhet shkelur kurora, shkel kurorën? Ti që ke neveri për idhujt, pse i plaçkit tempujt?
2:23 Ti që lëvdohesh me ligjin, e çnderon Perëndinë duke e shkelur ligjin?
2:24 Në fakt, siç është shkruar: ''Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet ndër johebrenj''.
2:25 Sepse rrethprerja është e dobishme në qoftë se ti respekton ligjin, por në qoftë se je shkelës i ligjit, rrethprerja jote bëhet mosrrethprerje.
2:26 Prandaj në qoftë se një i parrethprerë respekton statutet e ligjit, a nuk do të çmohet parrethprerja e tij si rrethprerje?
2:27 Dhe, në qoftë se ai që prej natyrës është i parrethprerë e plotëson ligjin, a nuk do të të gjykojë ai ty që me shkronjën dhe me rrethprerjen je shkelës i ligjit?
2:28 Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish;
2:29 por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia.
3:1 Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes?
3:2 E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre.
3:3 Ç'të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë?
3:4 Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: ''Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh''.
3:5 Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç'do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri).
3:6 Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën?
3:7 Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar?
3:8 E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: ''Të bëjmë të keqen që të vijë e mira''? Dënimi i këtyre është i drejtë.
3:9 E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat,
3:10 siç është shkruar: ''Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.
3:11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.
3:12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.
3:13 Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre;
3:14 goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi;
3:15 këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak;
3:16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë,
3:17 dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes;
3:18 nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre''.
3:19 Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë,
3:20 sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit.
3:21 Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët,
3:22 madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim;
3:23 sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,
3:24 por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.
3:25 Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë,
3:26 për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.
3:27 Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit.
3:28 Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.
3:29 A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve.
3:30 Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit.
3:31 Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.
4:1 Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit?
4:2 Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t'u lëvduar.
4:3 Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? ''Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi''.
4:4 Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh;
4:5 ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.
4:6 Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë:
4:7 ''Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar.
4:8 Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t'ia numërojë mëkatin''.
4:9 Por kjo lumturi a vlen vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit si drejtësi.
4:10 Në ç'mënyrë, pra, iu numërua? Kur ai ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë.
4:11 Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t'u numërohet drejtësia,
4:12 dhe të ishte atë i të rrethprerëve të vërtetë, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë.
4:13 Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit.
4:14 Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet,
4:15 sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje.
4:16 Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili
4:17 (siç është shkruar: ''Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve''), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin.
4:18 Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t'u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: ''Kështu do të jetë pasardhja jotë''.
4:19 Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës.
4:20 Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë,
4:21 plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte.
4:22 Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi.
4:23 E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar,
4:24 por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë,
4:25 i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë.
5:1 Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë,
5:2 me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.
5:3 Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen,
5:4 këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën.
5:5 Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.
5:6 Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.
5:7 Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.
5:8 Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
5:9 Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.
5:10 Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.
5:11 E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.
5:12 Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan;
5:13 sepse, derisa u shpall ligji, mëkati ekzistonte në botë; por mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj;
5:14 por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte.
5:15 Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë.
5:16 Sa për dhuntinë, nuk ndodhi si për atë një që mëkatoi, sepse gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme, por hiri prodhoi shfajësimin nga shumë shkelje.
5:17 Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit.
5:18 Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.
5:19 Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë.
5:20 Por ligj i ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt,
5:21 me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.
6:1 Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri?
6:2 Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të?
6:3 Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?
6:4 Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.
6:5 Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij,
6:6 duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit.
6:7 Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati.
6:8 Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të,
6:9 duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s'ka më pushtet mbi të.
6:10 Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë.
6:11 Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
6:12 Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'i bindeni atij në epshet e veta.
6:13 As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë.
6:14 Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir.
6:15 Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë!
6:16 A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?
6:17 Por qoftë falenderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar.
6:18 Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë.
6:19 Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qënë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim.
6:20 Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë.
6:21 Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja.
6:22 Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme.
6:23 Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
7:1 Apo nuk e dini o vëllezër, (sepse unë po u flas njerëzve që e njohin ligjin), se ligji ka pushtet mbi njeriun për sa kohë ai rron?
7:2 Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin deri sa ai rron, por, po i vdiq burri, lirohet nga ligji i burrit.
7:3 Prandaj, nëse, kur i rron burri, ajo bashkohet me një burrë tjetër, do të quhet shkelëse e kurorës; por kur i vdes burri ajo është e liruar nga ligji, që të mos jetë shkelëse e kurorës, po u bë gruaja e një burrë tjetër.
7:4 Kështu, pra, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur për ligjin me anë të trupit të Jezu Krishtit që të bashkoheni me një tjetër, që u ringjall prej të vdekurit, që t'i japim fryte Perëndisë.
7:5 Sepse, kur ishim në mish, pasionet mëkatare që ishin me anë të ligjit, vepronin në gjymtyrët tona, duke sjellë fryte vdekjeje,
7:6 por tani jemi zgjidhur nga ligji duke qënë të vdekur nga ç'ka na mbante të lidhur, prandaj shërbejmë në risinë e frymës dhe jo në vjetërsinë e shkronjës.
7:7 Çfarë të themi, pra? Se ligji është mëkat? Ashtu mos qoftë! Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: ''Mos lakmo!''.
7:8 Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo lakmi,
7:9 sepse, pa ligj, mëkati është i vdekur. Dikur unë jetoja pa ligj, por, kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall dhe unë vdiqa,
7:10 dhe urdhërimi që u dha për jetë, më solli vdekjen.
7:11 Sepse mëkati, duke gjetur rastin me anë të urdhërit, më mashtrojë dhe me anë të tij më vrau.
7:12 Kështu ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.
7:13 Ajo gjë, pra, që është e mirë u bë vdekje për mua? Ashtu mos qoftë; por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës më pruri vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat nëpërmjet urdhërimit.
7:14 Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i shitur mëkatit si skllav.
7:15 Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.
7:16 Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë.
7:17 Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua.
7:18 Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën.
7:19 Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s'dua, atë bëj.
7:20 Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s'jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.
7:21 Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua.
7:22 Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,
7:23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.
7:24 Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?
7:25 I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit.
8:1 Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës,
8:2 sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.
8:3 Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish,
8:4 që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.
8:5 Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës.
8:6 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontro-lluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe.
8:7 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.
8:8 Prandaj ata që janë në mish nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë.
8:9 Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij.
8:10 Nëse Krishti është në ju, trupi pa tjetër është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë.
8:11 Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju.
8:12 Prandaj, vëllezër, ne jemi debitorë jo të mishit, që të rrojmë sipas mishit,
8:13 sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni.
8:14 Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.
8:15 Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ''Aba, o Atë!''.
8:16 Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë.
8:17 Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të.
8:18 Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.
8:19 Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë,
8:20 sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi,
8:21 me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.
8:22 Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.
8:23 Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.
8:24 Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë?
8:25 Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s'e shohim, atë gjë e presim me durim.
8:26 Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.
8:27 Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.
8:28 Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.
8:29 Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve.
8:30 Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.
8:31 Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?
8:32 Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?
8:33 Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.
8:34 Kush është ai që do t'i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.
8:35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?
8:36 Siç është shkruar: ''Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje''.
8:37 Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.
8:38 Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme,
8:39 as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
9:1 Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegja ime me anë të Frymës së Shenjtë;
9:2 kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time.
9:3 Sepse do të doja të isha vetë i ma-llkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit,
9:4 të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet;
9:5 të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen.
9:6 Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael.
9:7 As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: ''Në Isakun do të quhet pasardhja jote''.
9:8 Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës.
9:9 Sepse kjo është fjala e premtimit: ''Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir''.
9:10 Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë,
9:11 (sepse para se t'i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret),
9:12 iu tha asaj: ''Më i madhi do t'i shërbejë më të voglit'',
9:13 siç është shkruar: ''E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun''.
9:14 Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!
9:15 Ai i thotë në fakt Moisiut: ''Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri''.
9:16 Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.
9:17 Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: ''Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun''.
9:18 Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do.
9:19 Ti do të më thuash, pra: ''Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t'i rezistojë vullnetit të tij?''.
9:20 Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë ena mjeshtrit: ''Përse më bërë kështu?''.
9:21 A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjitën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?
9:22 Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?
9:23 Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi,
9:24 mbi ne, që edhe na thirri, jo vetëm nga Judenjtë, por edhe nga johebrenjtë?
9:25 Ashtu si thotë ai te Osea: ''Unë do ta quaj popullin tim atë që s'ka qenë populli im dhe të dashur atë të mosdashurin.
9:26 Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: "Ju nuk jeni populli im", atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë''.
9:27 Por Isaia thërret për Izraelin: ''Edhe sikur të ishte numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja e tij do të shpëtohet''.
9:28 Në fakt ai do ta realizojë vendimin e tij me drejtësi, sepse Zoti do ta realizojë dhe do ta përshpejtojë vendimin e tij mbi tokë.
9:29 Dhe ashtu si profetizoi Isaia: ''Në qoftë se Perëndia i ushtrive nuk do të na kishte lënë farë, do të ishim bërë si Sodoma dhe do t'i kishim ngjarë Gomorës''.
9:30 Çfarë të themi, pra? Se johebrenjtë, që nuk kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë, por atë drejtësi që vjen nga besimi,
9:31 ndërsa Izraeli, që kërkonte ligjin e drejtësisë, nuk arriti në ligjin e drejtësisë.
9:32 Përse? Sepse e kërkonte jo me anë të besimit, por me anë të veprave të ligjit; sepse ata u penguan në gurin e pengesës,
9:33 ashtu siç është shkruar: ''Ja, unë po vë në Sion një gur pengese dhe një shkëmb skandali, dhe kushdo që i beson atij nuk do të turpërohet''.
10:1 Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.
10:2 Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë.
10:3 Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë,
10:4 sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.
10:5 Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: ''Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre''.
10:6 Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: ''Mos thuaj në zemrën tënde: ''Kush do të ngjitet në qiell?''. Kjo do të thotë që të zbresë Krishti.
10:7 Ose: ''Kush do të zbresë në humnerë?''. Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish.
10:8 Po ç'thotë, pra? ''Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde''. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë;
10:9 sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.
10:10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,
10:11 sepse Shkrimi thotë: ''Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet''.
10:12 Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin.
10:13 Në fakt: ''Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet''.
10:14 Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s'ka kush predikon?
10:15 Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: ''Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!''.
10:16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: ''O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?''.
10:17 Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.
10:18 Por unë them: Mos nuk dëgjuan? Madje, ''Zëri i tyre mori mbarë dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të tokës''.
10:19 Por unë them: ''Mos nuk e kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: ''Unë do t'ju shtie në xhelozi me një komb që s'është fare komb; do t'ju bëj të zemëroheni me anë të një kombi të marrë''.
10:20 Dhe Isaia me guxim thotë: ''Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua''.
10:21 Por lidhur me Izraelin ai thotë: ''Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës''.
11:1 Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhje e Abrahamit, nga fisi i Beniaminit.
11:2 Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç'thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:
11:3 ''O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time''.
11:4 Por, çfarë i tha zëri hyjnor? ''Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit''.
11:5 Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.
11:6 Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër.
11:7 E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan,
11:8 siç është shkruar: ''Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme''.
11:9 Dhe Davidi thotë: ''Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim.
11:10 Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë''.
11:11 Unë them, pra: ''Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t'i shtjerë ata në xhelozi.
11:12 Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e tyre?
11:13 Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve, duke qenë se jam apostulli i johebrenjve; dhe unë e nderoj shërbesën time,
11:14 për të provuar se në ndonjë mënyrë mund t'i provokoj se mos i shtie në zili ata që janë mishi im edhe shpëtoj disa prej tyre.
11:15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç'do të jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë?
11:16 Edhe po të jenë pemët e para të shenjta, edhe e tëra është e shenjtë; dhe po të jetë rrënja e shenjtë, edhe degët janë të shenjta.
11:17 Edhe sikur të këputen disa degë, ti që ishe ullastër u shartove në vend të tyre dhe u bëre pjestar i rrënjës dhe i majmërisë së drurit të ullirit,
11:18 mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, mos harro se nuk e mban ti rrënjën, po rrënja të mban ty.
11:19 Do të thuash, pra: ''Degët u prenë që të shartohem unë''.
11:20 Mirë, ato u prenë për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të besimit; mos u kreno, por druaj.
11:21 Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, shiko se mos nuk të kursen edhe ty.
11:22 Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh.
11:23 Kështu edhe ata, nëse nuk do të qëndrojnë në mosbesim, do të shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t'i shartojë përsëri.
11:24 Sepse, në qoftë se ti u këpute nga ulliri i egër prej natyre dhe u shartove kundër natyrës në ulli të butë, aq më tepër këto, që janë degë prej natyre, do të shartohen në ullirin e vet.
11:25 Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur këtë të fshehtë që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se i ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e johebrenjve,
11:26 dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: ''Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi.
11:27 Dhe kjo do të jetë besëlidhja ime me ta, kur unë t'ju heq mëkatet e tyre''.
11:28 Për sa i përket ungjillit ata janë armiq për hirin tuaj, por për sa i përket zgjedhjes, janë të dashur për hir të etërve,
11:29 sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.
11:30 Sepse, sikundër dhe ju dikur ishit të pabindur ndaj Perëndisë, por tani fituat mëshirën për shkak të pabindjes së tyre,
11:31 kështu edhe këta tani u bënë të padëgjueshëm, që, me anë të mëshirës që u tregua për ju, të fitojnë edhe ata mëshirë.
11:32 Sepse Perëndia i mbylli të gjithë në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.
11:33 O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!
11:34 ''Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?
11:35 Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?''.
11:36 Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!
12:1 O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur.
12:2 Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.
12:3 Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.
12:4 Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion,
12:5 kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit.
12:6 Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit;
12:7 nëse kemi shërbim, le t'i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit;
12:8 dhe ai që nxit, le t'i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t'i bëjë me gëzim.
12:9 Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës.
12:10 Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.
12:11 Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë,
12:12 të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje;
12:13 ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.
12:14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.
12:15 Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë.
12:16 Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur.
12:17 Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.
12:18 Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.
12:19 Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ''Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti''.
12:20 ''Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur''.
12:21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.
13:1 Çdo njeri le t'i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.
13:2 Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin.
13:3 Sepse eprorët s'ke pse t'i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai,
13:4 sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.
13:5 Prandaj është e nevojshme t'i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes.
13:6 Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.
13:7 I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t'u druajtur, nderimin atij që është për nderim.
13:8 Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin.
13:9 Sepse urdhërimet: ''Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo'', dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: ''Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!''.
13:10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.
13:11 Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam.
13:12 Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës.
13:13 Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë.
13:14 Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t'ia kënaqni lakmitë.
14:1 Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për mendimet.
14:2 Dikush mendon se mund të hajë nga çdo gjë, ndërsa ai që është i dobët ha vetëm barishte.
14:3 Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar.
14:4 Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit? A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e zotit të tij, por ai do të qëndrojë, sepse Perëndia është i zoti ta bëjë atë të qëndrojë në këmbë.
14:5 Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij.
14:6 Ai që e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai që nuk e çmon ditën, për Zotin nuk e ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit Perëndisë; dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit Perëndisë.
14:7 Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes për veten e tij,
14:8 sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi.
14:9 Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët.
14:10 Por ti, pse e gjykon vëllanë tënd? Ose përse e përbuz vëllanë tënd? Të gjithë, pra, do të dalim përpara gjykatës së Krishtit.
14:11 Sepse është shkruar: ''Rroj unë, thotë Perëndia, se çdo gjë do të ulet para meje, dhe çdo gjuhë do ta lavdërojë Perëndinë!''.
14:12 Kështu, pra, secili nga ne do t'i japë llogari Perëndisë për veten e vet.
14:13 Prandaj të mos e gjykojmë më njeri tjetrin, por më tepër gjykoni këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait.
14:14 Unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus, se asnjë gjë nuk është e ndyrë në vetvete, por për atë që çmon se diçka është e ndyrë, për atë është e ndyrë.
14:15 Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të një ushqimi, ti nuk ecën më sipas dashurisë; mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq.
14:16 Prandaj le të mos shahet e mira juaj,
14:17 sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë.
14:18 Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit.
14:19 Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e njëri-tjetrit.
14:20 Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin; vërtet, të gjitha gjëra janë të pastra, por bën keq kur dikush ha diçka që i është pengesë.
14:21 Éshtë mirë të mos hajë mish njeriu, as të mos pijë verë, as të mos bëjë gjë që mund ta çojë vëllanë tënd të pengohet, ose të skandalizohet ose të dobëson.
14:22 A ke besim ti? Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë; lum ai që nuk dënon veten e tij në atë që miraton.
14:23 Por ai që është me dy mendje, edhe sikur të hajë, është dënuar, sepse nuk ha me besim; dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat.
15:1 Edhe ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t'i pëlqejmë vetes.
15:2 Secili nga ne le t'i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim,
15:3 sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është shkruar: ''Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua''.
15:4 Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.
15:5 Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njeri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit,
15:6 që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht.
15:7 Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.
15:8 Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve,
15:9 dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: ''Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t'i këndoj lavdërime emrit tënd!''.
15:10 Dhe përsëri ai thotë: ''Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij''.
15:11 Dhe përsëri: ''Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt''.
15:12 Dhe përsëri Isaia thotë: ''Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!''.
15:13 Dhe Perëndia i shpresës le t'ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!
15:14 Dhe, sa për ju, o vëllezër, më është mbushur mendja për ju, se edhe ju jeni plot mirësi, plot me çdo njohuri, të zotë të këshilloni njëri-tjetrin.
15:15 Por unë ju shkrova në një farë shkalle më me guxim që t'ju kujtoj për hirin që m'u dha prej Perëndisë,
15:16 që të jem shërbëtor i Jezu Krishtit pranë johebrenjve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të ungjillit të Perëndisë, që oferta e johebrenjve të jetë e pëlqyer, dhe e shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë.
15:17 Kam, pra, me se të mburrem në Jezu Krishtin për punët që kanë të bëjnë me Perëndinë.
15:18 Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t'i sjell në dëgjes johebrenjtë me fjalë dhe me vepër,
15:19 me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit,
15:20 duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetërit.
15:21 Por, sikurse është shkruar: ''Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë''.
15:22 Edhe për këtë arsye u pengova shumë herë të vij tek ju.
15:23 Por tani, duke mos pasur më fushë veprimi për të ungjillizuar në këto vise, dhe duke pasur prej shumë vjetësh mall të vij tek ju,
15:24 kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, t'ju shoh dhe të më përcillni deri atje, pasi të kënaqem, sado pak, me ju.
15:25 Por tani unë po shkoj në Jeruzalem, për t'u shërbyer shenjtorëve,
15:26 sepse atyre nga Maqedonia dhe Akaia u pëlqeu të japin një ndihmesë për të varfërit që janë ndër shenjtorët e Jeruzalemit.
15:27 Kjo u pëlqeu atyre me të vërtetë, sepse u janë debitorë; sepse, në qoftë se johebrenjtë, pra, janë bërë pjestarë bashkë me ta për të mirat frymërore, kanë detyrë t'u shërbejnë atyre edhe me të mira materiale.
15:28 Si ta kem kryer këtë punë dhe t'ua kem dorëzuar këtë fryt, do të shkoj në Spanjë, duke kaluar nga ju.
15:29 Dhe unë e di se, duke ardhur tek ju, do të vij në tërësinë e bekimeve të ungjillit të Krishtit.
15:30 Dhe ju bëj thirrje, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua,
15:31 që unë të shpëtoj nga të pabesët në Jude, dhe që shërbesa ime që po bëj për Jeruzalemin t'u pëlqejë shenjtorëve,
15:32 që unë të vij tek ju, në dashtë Perëndia, dhe të freskohem bashkë me ju.
15:33 Edhe Perëndia e paqes qoftë me ju të gjithë. Amen.
16:1 Dhe unë po jua rekomandoj Febën, motrën tonë, që është dhjake e kishës që ndodhet në Kenkrea,
16:2 që ta pranoni në Zotin, sikurse u ka hije shenjtorëve, dhe ta ndihmoni në çdo gjë që të ketë nevojë nga ju, sepse edhe ajo ka ndihmuar shumë veta, edhe mua vetë.
16:3 U bëni të fala Prishilës dhe Akuilës, bashkëpunëtorë të mi në Krishtin Jezus,
16:4 të cilët për jetën time vunë kokën në rrezik; ata i falendëroj jo vetëm unë, por të gjitha kishat e johebrenjve.
16:5 I bëni të fala edhe kishës që është në shtëpinë e tyre, të fala edhe Epenetit tim të dashur, i cili është fryti i parë i Akaisë në Krishtin.
16:6 Të fala Marisë, e cila u mundua shumë për ne.
16:7 Të fala Andronikut dhe Juniës, kushërinj të mi dhe shokë burgu, të cilët janë dalluar midis apostujve dhe kanë qenë në Krishtin përpara meje.
16:8 Të fala Ampliut, të dashurit tim në Zotin.
16:9 Të fala Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në Krishtin dhe Stakit tim të dashur.
16:10 Të fala Apelit, të provuarit në Krishtin. Të fala atyre të shtëpisë së Aristobulit.
16:11 Të fala Herodionit, kushëririt tim. Të fala atyre të shtëpisë së Narkisit që janë në Zotin.
16:12 U bëni të fala Trifenës dhe Trifozës, të cilat mundohen në Zotin. Të fala Persidës së dashur, e cila është munduar shumë në Zotin.
16:13 Të fala Rufit, të zgjedhurit në Zotin, dhe nënës së tij që është edhe imja.
16:14 Të fala Asinkritit, Flegontit, Ermës, Patrobës, Ermit dhe vëllezërve që janë me ta.
16:15 Të fala Filologut, Julisë, Nereut dhe motrës së tij Olimpës, dhe gjithë shenjtorëve që janë me ta.
16:16 Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur të shenjtë; kishat e Krishtit ju përshëndesin.
16:17 Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata;
16:18 sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit?.
16:19 Sepse të bindurit tuaj arriti kudo; prandaj unë gëzohem për ju; dhe dëshiroj që të jeni të mëncur për të mirën dhe të thjesht për të keqen.
16:20 Tani Perëndia e paqes do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju.
16:21 Timoteu, bashkëpunëtori im, Luci, Jasoni dhe Sosipatri, kushërinj të mi, ju përshendesin.
16:22 Unë, Terci, që shkrova këtë letër ju përshëndes në Zotin.
16:23 Gai, mikpritësi im dhe i mbarë kishës, ju bën të fala. Erasti, arkëtari i qytetit, dhe vëllai Kuarti, ju dërgojnë të fala.
16:24 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.
16:25 Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit, të mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur,
16:26 por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t'i sjellë në dëgjesën e besimit,
16:27 Perëndisë, të vetmin të ditshëm, i qoftë lavdi në përjetësi me anë të Jezu Krishtit. Amen.