1:1 Si qëndron vallë i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me popull? E madhja midis kombeve është bërë si një e ve; princesha midis provincave i është nënshtruar haraçit.
1:2 Ajo qan me hidhërim natën, lotët vijëzojnë faqet e saj; midis gjithë atyre që e donin nuk ka njeri që ta ngushëllojë; tërë miqtë e saj e kanë tradhëtuar, janë bërë armiq të saj.
1:3 Juda ka shkuar në robëri, mbi të rëndojnë pikëllimi dhe një skllavëri e rëndë; ai banon midis kombeve, nuk gjen prehje; tërë përndjekësit e tij e kanë arritur midis fatkeqësive.
1:4 Rrugët e Sionit mbajnë zi, sepse askush nuk vjen më në festat solemne; tërë portat e tij janë të shkreta, priftërinjtë e tij psherëtijnë, virgjëreshat e tij hidhërohen dhe ai është në trishtim.
1:5 Kundërshtarët e tij janë bërë sundimtarë, armiqtë e tij begatohen, sepse Zoti e ka mjeruar për shkak të morisë së shkeljeve të tij; fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut.
1:6 Vajza e Sionit ka humbur tërë madhështinë e saj; krerët e tij janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë; ecin pa forca përpara atyre që i ndjekin.
1:7 Në ditët e trishtimit të tij dhe të endjes Jeruzalemi kujton tërë të mirat e çmuara që zotëronte qysh nga ditët e lashta. Kur populli i tij binte në dorë të armikut dhe askush nuk i vinte në ndihmë, kundërshtarët e tij e shikonin dhe qeshnin me shkatërrimin e tij.
1:8 Jeruzalemi ka mëkatuar rëndë, prandaj është bërë një gjë e fëlliqur; tërë ata që e nderonin e përçmojnë, sepse e kanë parë lakuriq, po, ai psherëtin dhe kthehet prapa.
1:9 Fëlliqësia e tij ishte në cepat e rrobave të tij, nuk mendonte për fundin e tij; prandaj ra në mënyrë të habitshme, pa pasur njeri që ta ngushëllojë: "Shiko, o Zot, dëshpërimin tim sepse armiku po ngrihet".
1:10 Kundërshtari ka shtrirë dorën mbi të gjitha thesaret e tua, sepse pa kombet të hyjnë në shenjtëroren tënde; pikërisht ata që ti u kishe urdhëruar të mos hynin në kuvendin tënd.
1:11 Tërë populli i tij psherëtin duke kërkuar bukë; japin gjërat e tyre më të çmuara për ushqim me qëllim që të rifitojnë jetën. "Shiko, o Zot, dhe kqyr sa jam bërë i neveritshëm!". pranimi i mëkateve të tij dhe pasojat e tyre
1:12 "Asgjë e tillë mos t'ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhimbje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë.
1:13 Nga lart ka dërguar një zjarr në kockat e mia, i kaplon ato; ka shtrirë një rrjetë në këmbët e mia, më ka kthyer prapa, më ka shkretuar në kapitjen e ditëve të mia.
1:14 Nga dora e tij është lidhur zgjedha e shkeljeve të mia, që lidhen bashkë dhe rëndojnë mbi qafën time; më ka pakësuar forcën time; Zoti më ka lënë në duart e atyre të cilëve nuk mund t'u bëj ballë.
1:15 Zoti ka rrëzuar në mesin tim tërë trimat e mi; ka thirrur kundër meje një kuvend për të shtypur të rinjtë e mi; Zoti ka shtypur si në një butinë bijën e virgjër të Judës.
1:16 Prandaj unë qaj; sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje. Bijtë e mi janë të dëshpëruar, sepse armiku doli fitimtar".
1:17 Sioni zgjat duart e tij, por nuk ka njeri që ta ngushëllojë. Përsa i përket Jakobit, Zoti ka urdhëruar që ata që janë rreth tij të bëhen armiq të tij. Jeruzalemi është bërë në mes tyre si një gjë e papastër.
1:18 Zoti është i drejtë, sepse jam rebeluar kundër fjalës së tij. Dëgjoni, pra, o popuj mbarë, dhe shikoni dhimbjen time! Virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë shkuar në robëri.
1:19 Thirra dashnorët e mi, por ata më kanë mashtruar; priftërinjt e mi dhe pleqtë e mi nxorën frymën e fundit në qytet, ndërsa kërkonin ushqim për të shpëtuar jetën e tyre.
1:20 Shiko, o Zot, unë jam në ankth. Zorrët e mia dridhen, zemra ime është e tronditur brenda meje, sepse kam qënë rebele e madhe. Jashtë shpata më la pa bij, në shtëpi është si të jetë vdekje.
1:21 Më dëgjojnë që psherëtij, askush nuk më ngushëllon. Tërë armiqtë e mi e kanë mësuar fatkeqësinë time dhe janë të kënaqur që ti ke bërë këtë gjë. Ti do të sjellësh ditën që ke lajmëruar, dhe atëherë do të jenë si unë.
1:22 Le të vijë para teje tërë ligësia e tyre, dhe trajtoi ashtu si më ke trajtuar mua për shkak të të gjitha shkeljeve të mia. Sepse të shumta janë psherëtimat e mia dhe zemra ime lëngon.
2:1 Si bëhet që në zemërimin e tij Zoti ka mbuluar me një re bijën e Sionit? Ai ka hedhur nga qielli në tokë lavdinë e Izraelit dhe nuk u kujtua për ndenjësen e këmbëve të tij ditën e zemërimit të tij.
2:2 Zoti i ka shkatërruar pa mëshirë të gjitha banesat e Jakobit; në zemërimin e tij ka shembur fortesat e bijës së Judës, i ka hedhur për tokë duke përdhosur mbretërinë dhe krerët e saj.
2:3 Me një zemërim të zjarrtë ka thyer tërë fuqinë e Izraelit, ka tërhequr të djathtën e tij përpara armikut, ka djegur në mes të Jakobit si një zjarr flakërues që gllabëron gjithçka rreth e qark.
2:4 Ka nderur harkun e tij si një armik, ka ngritur dorën e djathtë si një kundërshtar, ka shkatërruar të gjitha ato që ishin të këndshme për sytë në çadrën e bijës së Sionit, e ka derdhur zemërimin e tij si një zjarr.
2:5 Zoti u bë si një armik; përpiu Izraelin, përpiu tërë pallatet e tij, shkatërroi fortesat e tij, shumëfishoi të qarat dhe vajtimet tek e bija e Judës.
2:6 Shkatërroi tabernakullin e tij si një kopësht, prishi vendin ku mblidhet kuvendi; Zoti bëri të harrohen në Sion festat solemne dhe të shtunat dhe gjatë tërbimit e të zemërimit të tij hodhi poshtë mbretër dhe priftërinj.
2:7 Zoti braktisi altarin e tij, hodhi poshtë shenjtëroren e tij, dorëzoi në dorë të armikut muret e fortesave të tij; ata lartuan britma në shtëpinë e Zotit si në një ditë feste solemne.
2:8 Zoti vendosi të shkatërrojë muret e bijës së Sionit; vuri litarin, nuk ka hequr dorë nga shkatërrimi; ka bërë të vajtojnë fortesa dhe mure; që të dyja lëngojnë.
2:9 Portat e tij janë fundosur në dhe; ai ka prishur dhe ka copëtuar shufrat e tyre; mbreti i tij dhe krerët e tij ndodhen midis kombeve; nuk ka më ligj, dhe profetët e tij nuk marrin asnjë vegim nga Zoti.
2:10 Pleqtë e bijës së Sionit ulen për tokë në heshtje; kanë hedhur pluhur mbi kokën e tyre, kanë ngjeshur trupin me thes; virgjëreshat e Jeruzalemit ulin deri në tokë kokën e tyre.
2:11 Sytë e mi konsumohen nga të qarat, zorrët e mia drithërohen, mëlçia ime përhapet për tokë për shkak të shkatërrimit të bijës së popullit tim, për ligështimin e fëmijëve dhe të foshnjave në gji në sheshet e qytetit.
2:12 Ata u kërkonin nënave të tyre: "Ku është gruri dhe vera?", ndërsa po ligështoheshin si të plagosur për vdekje në sheshet e qytetit dhe jepnin shpirt në prehrin e nënave të tyre.
2:13 Si mund të të jap zemër? Në çfarë do të të ngjas, o bijë e Jeruzalemit? Çfarë gjë do të krahasoj me ty që të të ngushëlloj, o bijë e virgjër e Jeruzalemit? Sepse shkatërrimi yt është i madh si deti; kush mund të të shërojë?
2:14 Profetët e tu kanë pasur për ty vegime të rreme dhe të paarsyeshme; nuk kanë zbuluar lakuriq paudhësinë tënde që të largojnë robërinë prej teje; ata kanë shqiptuar për ty profeci të rreme dhe mashtruese.
2:15 Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qënka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur", "gëzimi i tërë tokës"?".
2:16 Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim".
2:17 Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu.
2:18 Zemra e tyre i bërtet Zotit: "O mure të bijës së Sionit, bëni që të derdhen lotët si një përrua ditën e natën. Mos i jepni qetësi vetes, mos paçin çlodhje bebet e syve tuaj.
2:19 Çohuni, bërtisni natën, në fillim të çdo vigjiljeje. Derdhni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart në drejtim të tij për jetën e fëmijëve tuaj, që mpaken nga uria në hyrje të të gjitha rrugëve".
2:20 "Shiko, o Zot, dhe shqyrto. Cilin ke trajtuar në këtë mënyrë? A duhet të hanin gratë frytin e barkut të tyre, fëmijët që përkëdhelnin? A duhet të vriteshin prifti dhe profeti në shenjtëroren e tij?
2:21 Të vegjëlit dhe pleqtë dergjen për tokë nëpër rrugë; virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë rënë nga shpata; ti i ke vrarë ditën e zëmërimit tënd, i ke masakruar pa mëshirë.
2:22 Ti ke mbledhur si për një ditë feste tmerret që më rrethojnë nga çdo anë. Në ditën e zemërimit të Zotit nuk pati as ikanak as të mbetur. Ata që kisha ushqyer me gji dhe që kisha rritur, i shfarosi armiku im".
3:1 Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.
3:2 Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.
3:3 Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.
3:4 Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.
3:5 Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.
3:6 Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.
3:7 Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.
3:8 Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.
3:9 Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.
3:10 Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.
3:11 Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.
3:12 Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.
3:13 Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.
3:14 Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.
3:15 Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.
3:16 Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.
3:17 Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.
3:18 Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".
3:19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.
3:20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.
3:21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.
3:22 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.
3:23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.
3:24 "Zoti është pjesa ime", thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.
3:25 Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.
3:26 Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.
3:27 Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.
3:28 Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.
3:29 Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.
3:30 Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.
3:31 Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;
3:32 por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,
3:33 sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.
3:34 Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,
3:35 kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,
3:36 kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?
3:37 Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?
3:38 E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit?
3:39 Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?
3:40 Le të shqyrtojmë rrugët tona, t'i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti.
3:41 Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve.
3:42 Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur.
3:43 Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë.
3:44 Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot.
3:45 Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve.
3:46 Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh.
3:47 Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi.
3:48 Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim.
3:49 Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje,
3:50 deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë.
3:51 Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim.
3:52 Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog.
3:53 Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë.
3:54 Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua".
3:55 Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës.
3:56 Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë.
3:57 Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!"
3:58 O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.
3:59 O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time!
3:60 Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje.
3:61 Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje,
3:62 fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën.
3:63 Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre.
3:64 Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre.
3:65 Bëji zemërgur, mallkimi yt qoftë mbi ta.
3:66 Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit.
4:1 Si u nxi ari, si u prish ari më i mirë! Gurët e shenjtërores u shpërndanë në hyrje të të gjitha rrugëve.
4:2 Bijtë e çmuar të Sionit që çmoheshin si ar i kulluar, vallë si u konsideruan si enë prej balte, si punë e kryer nga duart e poçarit?
4:3 Edhe çakejtë japin gjirin për të ushqyer të vegjëlit e tyre, por bija e popullit tim është bërë mizore si strucët e shkretëtirës.
4:4 Gjuha e foshnjës në gji ngjitet, në qiellzën e tij nga etja; fëmijët kërkojnë bukë, por nuk ka njeri që t'ua japë atyre.
4:5 Ata që hanin ushqime të shijshme lëngojnë nëpër rrugë; ata që ishin rritur në purpur përqafojnë plehërishten.
4:6 Ndëshkimi i paudhësisë të vajzës së popullit tim është më i madh se ndëshkimi i mëkatit të Sodomës, që u shkatërrua në një çast, pa ndërhyrjen e dorës së njeriut kundër saj.
4:7 Princat e saj ishin më të shkëlqyeshëm se bora, më të bardhë se qumështi; e kishin trupin më të kuq se koralet, fytyra e tyre ishte si një safir.
4:8 Tani pamja e tyre është më e zezë se terri; nuk njihen dot më nëpër rrugë; lëkura e tyre bashkohet me kockat e tyre, është tharë, është bërë si dru.
4:9 Të vrarët nga shpata janë më mirë se ata që vdesin nga uria, sepse këta të fundit mbarojnë të rraskapitur nga mungesa e prodhimeve të fushës.
4:10 Duart e grave të mëshirëshme kanë pjekur vetë fëmijët e tyre, të cilët u kanë shërbyer si ushqim, në shkatërrimin e bijës së popullit tim.
4:11 Zoti i dha fund tërbimit të tij, ka derdhur zemërimin e tij të zjarrtë, ka ndezur në Sion një zjarr, që ka gllabëruar themelet e tij.
4:12 Mbretërit e dheut dhe tërë banorët e botës nuk do të kishin besuar kurrë që kundërshtari dhe armiku do të hynin në portat e Jeruzalemit.
4:13 Por kjo ndodhi për shkak të mëkateve të profetëve të tij dhe për shkak të paudhësive të priftërinjve të tij, që kanë derdhur në mes të saj gjakun e njerëzve të drejtë.
4:14 Ata endeshin si të verbër nëpër rrugë, të ndotur me gjak, në mënyrë që askush nuk mund të prekte veshjet e tyre.
4:15 Sapo dukeshin njerëzit bërtisnin: "Largohuni, një i papastër! Largohuni, largohuni mos e prekni!". Kur iknin dhe shkonin duke u endur midis kombeve thonin: "Nuk do të mund të rrijnë më këtu".
4:16 Fytyra e Zotit i ka shpërndarë, nuk do të kthejë mbi ta shikimin e tij; nuk kanë pasur respekt për priftërinjtë dhe as kanë treguar dhembshuri për pleqtë.
4:17 Përveç kësaj sytë tona konsumoheshin në pritjen e një ndihme të kotë. Nga vendi ynë i vëzhgimit prisnim më kot një komb që nuk mund të na shpëtonte.
4:18 Na gjuanin në çdo hap, duke na penguar të ecnim nëpër sheshet tona. Fundi ynë është i afërt, ditët tona janë plotësuar, fundi ynë ka mbërritur.
4:19 Përndjekësit tanë kanë qenë më të shpejtë se shqiponjat e qiellit, na kanë ndjekur në malet, na kanë ngritur prita në shkretëtirë.
4:20 Fryma e flegrave tona, i vajosuri i Zotit është marrë në gropat e tyre, ai për të cilin thoshim: "Në hijen e tij do të jemi midis kombeve".
4:21 Gëzohu dhe kënaqu, o bijë e Edomit, që banon në vendin e Utsit. Edhe ty do të të vijë kupa; do të dehesh dhe do të zbulosh lakuriqësinë tënde.
4:22 Ndëshkimi i paudhësisë sate u krye, o bijë e Sionit. Ai nuk do të të çojë më në robëri; por do të ndëshkojë paudhësinë tënde, o bijë e Edomit, do të nxjerrë në shesh mëkatet e tua.
5:1 Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë.
5:2 Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët.
5:3 Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja.
5:4 Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë.
5:5 Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim.
5:6 I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t'u ngopur me bukë.
5:7 Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre.
5:8 Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.
5:9 E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës.
5:10 Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë.
5:11 Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës.
5:12 Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar.
5:13 Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve.
5:14 Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre.
5:15 Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi.
5:16 Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!
5:17 Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë:
5:18 për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat.
5:19 Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi.
5:20 Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë?
5:21 Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën.
5:22 Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?