1:1 Në vitin e dytë të mbretit Dar, në muajin e gjashtë, ditën e parë të muajit, fjala e Zotit iu drejtua me anë të profetit Hagai, Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës, dhe Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift, duke thënë:
1:2 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ky popull thotë: "Nuk ka ardhur ende koha, koha kur duhet të rindërtohet shtëpia e Zotit"".
1:3 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua atyre me anë të profetit Hagai, duke thënë:
1:4 "A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar?".
1:5 Prandaj Zoti i ushtrive thotë tani: "Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!
1:6 Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak; ju hani por jo aq sa të ngopeni; ju pini, por jo aq sa të shuani etjen tuaj; ju visheni, por askush nuk rrin ngrohtë; ai që fiton një mëditje, e fiton për ta shtënë në një qese të shpuar".
1:7 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!
1:8 Ngjituni ndër male, sillni lëndën dhe ndërtoni tempullin, që të mund të gëzohem për të dhe kështu të jem i përlëvduar", thotë Zoti.
1:9 Ju prisnit shumë, por në realitet keni pasur pak; pastaj, kur e keni çuar në shtëpi, unë e shpërndava. Përse?", thotë Zoti i ushtrive, "për shkak të tempullit tim që është i rrënuar, ndërsa secili prej jush rend në shtëpinë e vet.
1:10 Për këtë arsye qielli e ka ndalur vesën sipër jush dhe toka e ka mbajtur prodhimin e vet.
1:11 Dhe unë e thirra thatësirën mbi vendin, mbi malet, mbi grurin, mbi mushtin, mbi vajin dhe mbi gjithshka që prodhon toka, mbi njerëzit, mbi bagëtinë dhe mbi gjithë punën e duarve tuaja".
1:12 Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe Jozueu, biri i Jehotsadakut, kryeprift, dhe gjithë pjesa tjetër e popullit e dëgjuan zërin e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Hagai, sepse Zoti,
1:13 Atëherë Hagai, lajmëtari i Zotit, i shpalli popullit mesazhin e Zotit, duke thënë: "Unë jam me ju, thotë Zoti".
1:14 Kështu Zoti e zgjoi frymën e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës dhe frymën e Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift dhe frymën e gjithë pjesës tjetër të popullit; atëherë ata erdhën dhe filluan punën për shtëpinë e Zotit të ushtrive, Perëndisë së tyre,
1:15 në ditën e njëzetekatërt të muajit të gjashtë, në vitin e dytë të mbretit Dar.
2:1 Në muajin e shtatë, në ditën e njëzetenjëtë të muajit, fjala e Zotit u drejtua me anë të profetit Hagai, duke thënë:
2:2 "Foli tani Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës, dhe Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift, dhe pjesës tjetër të popullit, duke thënë:
2:3 "Cili prej jush ka mbetur nga ata që e kanë parë këtë tempull në lavdinë e tij të mëparshme? Dhe si po e shikoni tani? Në krahasim me atë, a nuk është kjo asgjë para syve tuaj?
2:4 Dhe tani ji i fortë, Zorobabel", thotë Zoti, "ji i fortë, Jozue, bir i Jehotsadakut, kryeprift; ji i fortë, o mbarë popull i vendit", thotë Zoti, "dhe i hyni punës, sepse unë jam me ju", thotë Zoti i ushtrive,
2:5 "sipas fjalës së besëlidhjes që lidha me ju kur dolët nga Egjipti, kështu Fryma ime qëndron midis jush. Mos kini frikë".
2:6 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Edhe një herë, pas pak, unë do t'i bëj të dridhen qiejtë dhe dheun, detin dhe sterenë;
2:7 do t'i bëj të dridhen gjithë kombet; dëshira e gjithë kombeve do të vijë dhe unë do ta mbush këtë tempull me lavdi", thotë Zoti i ushtrive.
2:8 "Argjendi është imi, ari është imi", thotë Zoti i ushtrive.
2:9 "Lavdia e këtij tempulli të fundit do të jetë më e madhe nga ajo e të mëparshmit", thotë Zoti i ushtrive; "dhe në këtë vend unë do të sjell paqen"", thotë Zoti i ushtrive.
2:10 Në ditën e njezet e katërt të muajit të nëntë, në vitin e dytë të Darit, fjala e Zotit u drejtua me anë të profetit Hagai, duke thënë:
2:11 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Pyeti priftërinjtë për ligjin, duke thënë:
2:12 "Në qoftë se dikush mban në cepin e rrobës së tij mish të shenjtëruar dhe me cepin prek bukë ose ushqim të gatuar, verë ose vaj, ose çfarëdo ushqim tjetër, a do të bëhet i shenjtëruar ky?"". Priftërinjtë u përgjigjen dhe thanë: "Jo!".
2:13 Atëherë Hagai u tha atyre: "Në qoftë se dikush, që është i papastër për shkak të kontaktit me një kufomë, prek ndonjë nga këto gjëra, a do të bëhet kjo e papastër?". Priftërinjë u përgjigjën dhe thanë: "Po, ajo do të bëhet e papastër".
2:14 Atëherë Hagai u përgjigj dhe tha: "Kështu është ky popull, kështu është ky komb përpara meje", thotë Zoti, "dhe kështu është çdo punë e duarve të tyre, dhe ajo që më ofrojnë atje është e papastër.
2:15 Tani mendohuni mirë që sot e tutje, para se të vendoset guri mbi gur në tempullin e Zotit.
2:16 Më parë kur dikush shkonte para një kapice që mendohej se kishte njëzet masa, kishte vetëm dhjetë; kur dikush shkonte te buti për të nxjerrë nga buti pesëdhjetë bate, kishte vetëm njëzet.
2:17 Unë ju godita me plasjen, me ndryshkun dhe me breshër në çdo punë të duarve tuaja, por ju nuk u kthyet tek unë", thotë Zoti.
2:18 "Mendohuni mirë që sot e tutje, nga dita e njëzetekatërt e muajit të nëntë, nga dita kur u hodhën themelet e tempullit të Zotit. Mendoni këtë:
2:19 a ka akoma grurë në hambar? Hardhia, fiku, shega dhe ulliri nuk kanë dhënë akoma fryt. Por që nga kjo ditë e tutje, unë do t'ju bekoj".
2:20 Fjala e Zotit iu drejtua për herë të dytë Agait, ditën e njëzet e katërt të muajit, duke thënë:
2:21 "Foli Zorobabelit, qeveritarit të Judës, dhe i thuaj: "Unë do t'i bëj qiejt dhe dheun të dridhen,
2:22 do të përmbys fronin e mbretërive dhe do të shkatërroj fuqinë e mbretërive të kombeve; do të përmbys qerret dhe ata që u hipin atyre; do të rrëzohen kuajt dhe kalorësit e tyre, secili do të vritet nga shpata e vëllait të vet.
2:23 Atë ditë", thotë Zoti i ushtrive, "unë do të të marr, o Zorobabel, bir i Shealtielit, shërbëtori im", thotë Zoti dhe do të të vë një si vulë, sepse të kam zgjedhur"", thotë Zoti i ushtrive.